Qytetet kthehen në fantazma, konflikti mund të kthehet në luftë rajonale

Irani ka paralajmëruar se luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë mund të përshkallëzohen në një luftë më të madhe rajonale. Reagimi vjen pasi disa bomba kanë rënë edhe në Iran. Konflikti i ri po i kthen qytetet në fantazma

Nga Orla Guerin, BBC

Azerbajxhani thotë se po vazhdon të avancojë drejt rajonit të diskutueshëm të Nagorni Karabakut. Ka më shumë fuqi zjarri dhe armë më të sofistikuara.

Për momentin duket se ata kanë epërsinë, por zonat afër vijës së frontit janë brenda rrezes së bombardimeve të forcave etnike armene.

Qyteti i Tartarit- që është në kufi me Nagorni Karabakun- është kthyer në një qytet fantazmë. Normalisht është shtëpia e 100 mijë banorëve, por shumica duket se janë arratisur.

Rruga kryesore është e zbrazët dhe e mbushur me rrënoja dhe xhama të thyer. Vitrinat e dyqaneve janë hedhur në ajër dhe çatitë janë shembur.

Ne gjetëm vetëm një grup familjesh të strehuara nën tokë. Një grua e moshuar- djali dhe vajza e së cilës po luftojnë me forcat azere në vijën e frontit- tha se po priste fitoren dhe se nuk do largohej kurrë.

Nipi i saj shtatë muajsh ishte shtrirë në krahët e saj dhe nuk dridhet nga zhurma e shpërthimeve. “Është mësuar,” thotë ajo.