Teliti: Taksa e sheshtë 9%, më shumë para për xhepat e të punësuarve

Drejtori i Kabinetit dhe eksperti i ekonomisë, Dorjan Teliti të mërkurën deklaroi se heqja e taksimit progresiv dhe implementimi i planit Basha me taksën e sheshtë 9 për qind, do të krijojë më shumë lehtësim për të punësuarit dhe do të garantojë më shumë para në xhepin e tyre për konsum.

Përmes një shënimi në Facebook, Teliti shkruan se mashtrimi i qeverisë  me planin Basha për taksën e sheshtë 9%, mbi të ardhurat personale mbi pagat, ku të punësuar do të paguajnë më shumë tatim është i pavërtetë.

Sipas tij, e vërteta është se me heqjen e taksimit progresiv dhe me implementimin e planit Basha me taksën e sheshtë 9%, të gjithë të punësuarit do të paguajnë më pak tatim, të gjithë do të kenë më shumë para në xhepin e tyre për konsum.

Ai thekson se me taksën e sheshtë 9 për qind mbi tatimin mbi të ardhurat personale nga paga; një mjek do të paguajë 38 mijë lekë (të reja) më pak në vit; një infermier do të paguajë 17 mijë lekë (të reja) më pak në vit; një mësues do të paguajë 22 mijë lekë (të reja) më pak në vit.

Për të, qeveria lodhet kot së gënjyeri, pasi shqiptarët e dinë të vërtetën e qartë dhe të thjeshtë.

“25 prilli po afron, #ditëmëtëmira do të vijnë”, mbyll ai, mesazhin e tij në Facebook.