Polonia gjobit Gazpromin me 7.6 miliard dollarë gjobë

Autoriteti polak i anti-monopolit, Zyra e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (UOKiK) njoftoi sot gjobën prej mbi 29 miliardë zlota polake (7.6 miliardë dollarë) të vendosur ndaj Gazprom-it për mungesën e miratimit të një transaksioni për tubacionin "Rrjedha e Veriut 2".

Autoriteti gjithashtu gjobiti 5 kompani të tjera me mbi 234 milionë zlota (61.4 milionë dollarë) të cilët morën pjesë në ndërtimin e tubacionit të gazit.

Autoriteti vuri në dukje se "akuzat kundër 6 operatorëve ekonomikë u ngritën në këtë rast të veçantë dy vjet më parë" që përfshinte kompanitë si Gazprom, Engie, Uniper, OMV, Shell dhe Wintershall.

Në vitin 2015, UOKiK pranoi një kërkesë të paraqitur nga 6 kompanitë për miratim për themelimin e një ndërmarrjeje të përbashkët përgjegjëse për ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit të gazit "Rrjedha e Veriut 2".

Megjithatë në vitin 2016, kryetari i UOKiK shprehu shqetësime dhe rezerva mbi skemën e bashkimit, duke vërejtur se transaksioni i planifikuar mund të çojë në një kufizim në konkurrencë.

"Kompanitë tërhoqën aplikimin e tyre që në praktikë nënkuptonte se ata kishin hequr dorë nga bashkimi. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj, u shfaq informacioni se palët e ardhshme në transaksion kishin nënshkruar një marrëveshje për financimin e tubacionit të gazit", thuhet më tej.

"Vendimi i pashembullt dhe vendosja e dënimit maksimal janë rezultati i procedurave që UOKiK ka përfunduar në lidhje me një kompani që është përgjegjëse për ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit të gazit 'Rrjedha e Veriut 2' pa pëlqimin e kërkuar të kryetarit të UOKiK", thuhet në deklaratë.

Prandaj, sipas deklaratës, filluan procedurat kundër Gazprom-it dhe 5 partnerëve të saj tregtarë në lidhje me ekzekutimin e transaksionit pa marrë miratimin nga autoriteti.

Gazsjellësi "Rrjedha e Veriut 2", një investim i përbashkët i gjatë 1.200 kilometra midis Gazprom-it të Rusisë dhe 5 ndërmarrjeve evropiane është vendosur të dyfishojë kapacitetin aktual vjetor prej 55 miliardë metër kub të tubacionit "Rrjedha e Veriut".

Vendet përgjatë rrugës së ndërtimit, përfshirë Gjermaninë, Finlandën dhe Suedinë kanë dhënë tashmë leje dhe Danimarka, e cila fillimisht shprehu kundërshtimin e projektit, ra dakord për një leje vitin e kaluar.