Qeveria e paska një sukses plot aromë

Na ndodh shpesh që kur shfaqim mosbesim ndaj qeverisjes miq e shokë të na thonë:

-Pse kaq pesimist? Ka dhe gjëra të mira.

E kur kërkon prej tyre ato pozitivet, heshtin, ngrenë supet, mbyllin bisedën:

-Po gërmo, o njeri, se do gjesh!

Duket pak çudi që pas afro 8 vjet drejtim të vendit nga Rama të mos zbulosh diçka të mirë. Vret mendjen e të vjen lajmi i borxhit të frikshëm. Plot 7 miliard euro ka marrë veç Rilindja, ua ka ngarkuar në kurriz shqiptarëve.

Pastaj truri rend tek emigrimi masiv. Rinia në vargje dhimbjesh largohet. Le pas mall, lot e një vend pa shpresë.

Kur sytë njomen nga lëndimi kujtohesh për koncesionet e pafund. Çdo gjë iu dha oligarkëve. Kanë ngelur tani veç martesat e njerëzve pa u koncesionuar.

Nuk do jetë çudi që do t’i ngarkohet ndonjë kompanie mblesëria e njerëzve. E kështu atdheu rënkon nga vjedhjet, rrjepjet dhe rrëmbimi i pasurive natyrore.

-Flisni për ndonjë të mirë të kësaj qeverie, - të thonë sërish.

-Po më trego pra vetëm një e do e mësoj përmendësh, - zotohesh.

Pret e pret e askush nuk ta thotë. Se nuk ka, nuk gjendet. Ama deri dje nuk gjendej. Se sot, bash Calja, shoku im i ngushtë, ma tha.

-Shënoje e mbaje mend, - më bërtiti. - Kjo qeveri ia ka arritur të shtojë prurjet e Lanës. Madje e ka shumëfishuar atë. Nga që nuk ka reshtur së dhëni leje për ndërtim kullash e pallatesh ia ka arritur të dyfishojë bythët e banorëve që e lëshojnë drejt e në Lanë.

Nuk fola. Heshta. Shoku më kapi gafil.

Qeveria jonë punëmbaruar e paska një arritje. Të dukshme me sy dhe të ‘prekshme’ me hundë. Ia ka arritur të shtojë prodhimin e mutit në lumin qendror të Tiranës.

Nuk do e harroj,e ngulita thellë në tru dhe do e përsëris çdo ditë.

Qeveri, më fal! E paske një sukses.