Rama fyen Metën: Nuk ke kapacitet moral e mendor të përmbahesh

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj deputetes Rudina Hajdari, e cila vijon të mbajë të bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar të ndërpritet kjo seancë plenare, ku do të votohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Rama tha se nuk i shkon një gjuhë e tillë një nëne, një gruaje dhe një përfaqësueseje të Parlamentit.

Por, sipas kryeministrit, deputetja Hajdari nuk ka faj, pasi shembullin negativ e jep i pari Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që sipas tij, nuk ka kapacitetin mendor dhe moral të përmbahet edhe kur është në krah të një përfaqësuesi të huaj.

Me këtë, Rama nënkupton deklaratat e forta të Presidentit sot, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij të Bosnje-Hercegovinës.

“Nuk ka asnjë problem të më sulmoni mua, jam mësuar me origjinalin, kopjet s’më bëjnë fare përshtypje. dëgjova një zonjë këtu që fliste me një gjuhë që një grua nuk mund ta ketë, një nënë nuk mund ta ketë, një përfaqësuese e Parlamentit nuk mund ta ketë. Por çfarë faji mund t’i vë unë kësaj zonje, kur shembullin më negativ sot e jep Presidenti, që nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet të paktën kur ka një përfaqësues të huaj në krah”, tha Rama.

"Ilir Meta del edhe flet në emër të Kushtetutës, në emër të shqiptarëve, me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por nuk i shkon me PS-në dhe popullin shqiptar. Shqipëria ka nevojë për të gjithë, por nuk është sekret, unë nuk jam udhëheqësi i PS për të ushqyer partitë e vogla. Bindja ime është se asnjë parti e vogël gjatë pluralizmit nuk ka sjell asgjë të mirë për Shqipërinë. Partitë e vogla janë grupe interesi, që kanë shqyer më shumë se sa të mëdhatë plaçkën shtet. Partitë e vogla janë parti pengmarrësish”, u shpreh Rama.