Cilat janë ilaçet me të cilat po kurohet Donald Trump?

Presidenti Donald Trump është shtruar në spital pas infektimit me koronavirus.

Por çfarë trajtimi po merr ai?

Sipas BBC, mjeku i tij Sean Conley ka thënë se presidenti nuk ka pasur nevojë për oksigjen shtesë.

Megjithatë, në konsultim me specialistët, ai ka nisur kurën me Remdesevir.

Testimet kanë treguar se Remdesevir, një ilaç i prodhuar fillimisht kundër Ebolas, ndërpret aftësinë e virusit për t’u shumuar dhe mund të shkurtojë kohëzgjatjen e simptomave.

Më herët, Conley tha se presidenti ka marrë një koktej antitrupash të quajtur Regeneron. Ai ka marrë një dozë prej 8 gram.

Ky ilaç është në fazë eksperimentale. Këto antitrupa i ngjiten koronavirusit, duke mbrojtur qelizat e trupit dhe duke e bërë virusin më të dukshëm për sistemin imunitar.

Edhe pse ka shumë shpresë për këtë ilaç, disa mjekë kanë shprehur shqetësim për përdorimin e hershëm te presidenti.

Presidenti po merr edhe zink, vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.