Zyrtare: Goditja e dytë 'big' brenda ditës e Kukësit

Pas Agim Ibraimit, Kukësi zyrtarizon edhe goditjen e dytë të madhe në harkun e pak orëve ashtu siç kishte paralajmëruar. Gjelbërim Taipi është futbollisti më i ri i skuadrës verilindore me drejtuesit e Kukësit që kanë plotësuar dëshirën e trajnerit Skënder Gega pasi Taipi është një njohje e vjetër e trajnerit i cili e ka patur atë nën urdhrat e tij para disa vitesh kur drejtonte Shqipërinë U-21. 27-vjeçari aktivizohet si mesfushor i avancuar dhe do të jetë një element shumë i rëndësishëm te Kukësi pas largimeve me peshë si Rroca, Musolli e Telushi.

Gjelbërim Taipi  i cili ashtu si Ibraimi ka firmosur për 2 vite me Kukësin, do të mbajë veshur fanellën me numër 7 në këtë aventurë të re, ndërsa në karrierën e tij pasi ka hedhur hapat e parë duke spikatur te Shkëndija e Tetovës, djaloshi nga Bujanovci është aktivizuar vetëm në Zvicër duke luajtur edhe në Superligë me skuadra si St Gallen e Grasshoppers, ndërsa sëfundmi ka qenë pjesë e Schaffhausen në Challenge League me të cilët është aktivizuar në 14 ndeshje duke shënuar dhe 4 gola. Siç njofton vetë klubi i Kukësit në ditët e ardhshme, Taipi do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.