Çifti Trump ka simptoma të buta, çifti Biden rezulton negativ

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump kanë simptoma të buta të koronavirusit dhe janë në humor të mirë. Kështu bëri të ditur Shtëpia e Bardhë, pasi të premten u mësua se ata janë infektuar me virusin Covid-19.

Ndërkohë rivali i Trump, Joe Biden ka rezultuar negativ bashkë me të shoqen, Jill. Biden i ka uruar shërim të shpejtë presidentit, pas një debati të parë të ashpër mes tyre.

Mësohet se presidenti kishte shfaqur letargji duke u kthyer nga një tubim të enjten dhe e kishte zënë gjumi në avion, diçka e pazakontë për një njeri energjik si ai.

Vajza dhe dhëndri i tij ka rezultuar negativë. Po ashtu edhe djali Barron.

Infektimi i presidentit ka ngritur shumë hipoteza në media se çfarë pritet të ndodhë tani për shkak se presidenti është 74-vjeçar dhe mbipeshë.

Po ashtu, nuk dihet se cili do të jetë fati i fushatës zgjedhore dhe i debatit të dytë presidencial.