Bashkëshortja dhe e bija e Lefter Zhidrut: Policia nuk na la të flisnim në telefon, armët mund të jenë futur kur ….

24 shtatori ishte një ditë tragjike për familjen Zhidru dhe një ditë po aq tmerruese për qytetin e Elbasanit ku 71-vjeçari Lefter Zhidru për 5 orë rresht qëlloi pa pushim drejt policisë dhe forcave RENEA për të mos u dorëzuar.

Ngjarja përfundoi me ekzekutimin e tij dhe gjetjen e një sasie armësh dhe municionesh në banesë, për të cilat vetë familja e tij nuk kishte dijeni për ekzistencën.

Në një rrëfim ekskluziv për Report TV  bashkëshortja e 71-vjeçarit Lefter Zhidru, Floresha Zhidru dhe vajza 14-vjeçare treguan në studion e emisionin ‘’Pa gjurmë’’  versionin e tyre se si nisi e gjithë ngjarja që pati një fund tragjik.

Floresha iu drejtua emisionit ‘Pa Gjurmë’ fillimisht me një mesazh, duke dashur të tregojë detajet e asaj dite, ndërsa hedh poshtë çdo akuzë të lëshuar mbi të, nga mediat.

E kontaktuar nga stafi i emisionit, ajo mbërriti në studio bashkë me vajzën 14-vjeçare ku kërkuan drejtësi për vrasjen e bashkëshortit dhe babai nga forcat RENEA.

"Gjakun e burrit nuk duhet të ma kishte marrë shteti, ma la gocën rrugëve pa baba", tha Floresha dhe të njëjtën gjë kërkoi edhe e bija e viktimës "Dua drejtësi, kaq".

Po si nisi i gjithë konflikti ditën e 24 shtatorit 2020? Floresha tregon se atë ditë Lefteri është ngritur mjaft i acaruar dhe agresiv dhe gjithçka ka lidhje me një konflikt 6-vjeçar me një fqinjin e tyre, Arjan Kajemal, i cili e ngacmonte dhe provokonte vazhdimisht Lefterin. Ata ishin në një proces gjyqësor mes tyre, ndërsa akuzoi shtetin se ndaj bashkëshortit të saj është bërë gjithmonë padrejtësi pasi nuk ka reaguar kurrë ndaj padive që ai kishte bërë për ngacmimet.

Floresha Zhidru dhe vajza  14-vjeçare kanë deklaruar se ata nuk janë lejuar të flasin në telefon me Lefterin që të ndërmjetësonin që të dorëzohej, përkundrazi janë ndaluar nga policia edhe pse i janë lutur që t'i lejonin. Ndërkohë që ditën e ngjarjes u raportua se në 5 orë ndërmjetësime është përfshirë edhe bija 14-vjeçare e Lefter Zhidrus.

"Policia na e bëri këtë. Pas 15 minuta na çon në komisarit dhe policisë i them që nuk është njeri i dhunshëm. I kërkuam na jepni në telefon që të flasim, jo njëherë po disa herë. I kam kërkuar të mos ma vrasin burrin pasi është i pafajshëm. Le të dënohet për atë që ka pasur. Nuk na lanë të komunikonim, kemi qenë në komisariat deri në 12 të natës, nuk na linin të dalin. I thoja jepjani cupes  të flasë me të atin, nuk ka informacion na lejonin", tha bashkëshortja e Lefterit.

Në banesën e 71-vjeçarit ku u gjetën kallëpe tritoli dhe armatime të tjera, bashkëshortja e tij si dhe vajza mohojnë se ato kanë qenë më parë aty. Ata shprehen gjatë kohëve të fundit kanë pastruar dhe lyer shtëpinë por në asnjë vend nuk kanë gjetur armatime.

Vajza e Lefter Zhidrut thotë se armët mund të jenë futur vetëm ditën e ngjarjes. Ndërkohë vëllai i viktimës është shprehur se të vërtetën e ka vetëm bashkëshortja.

"Ne kemi pastruar të gjithë shtëpinë dhe nuk kemi gjetur kurrë armatime. Vetëm 1 muaj më parë kemi pastruar të gjithë shtëpinë si dhe dhomën ku ai mbante materialet e punës. Kemi hequr të gjitha materialet e panevojshme dhe i kemi hedhur" - tha bashkëshortja.

"Disa ditë përpara se të fillonte shkolla, unë dhe mami shkuam tek gjyshërit. Vetëm atëherë mund t'i ketë futur armët" - shprehet vajza.

Në fotot e siguruara nga Report Tv brenda banesës së Lefter Zhidrus pas ekzekutimit të tij nga forcat RENEA, ku dalloheshin armët dhe tritoli në banesë, janë komentuar edhe nga bashkëshortja dhe vajza e viktimës duke thënë se ato armë mund të jenë futur aty pasi ato kurrë nuk i kanë parë edhe kur kanë pastruar shtëpinë. Duke komentuar një arkë jeshile që duket si arkë ushtarake duke thënë se

"Ata ishin materiale për të shitur, është arkë elektrike e kemi pasur te reparti i i punës, ata që mediat e quajnë armë fishekësh, jo, ajo është makineri për prodhimit të materialeve të vullkanizimit. Këto janë të gjitha materiale për tu shitur janë për skrap dhe janë ende në shtëpi, kemi marrë persona për ti marrë për ti shitur, kanë ardhur por nuk ramë dakord pasi e donin pa lekë", tha Floresha.