EMRI/ Shqiptari, dëshmitar kyç në vrasjen që tronditi Italinë

Një burrë shqiptar ka qenë ndër dëshmitarët kyç që kanë ndihmuar për hetimin e vrasjes së tmerrshme të dyfishtë të ndodhur më 21 shtator në Lecce, me autor 21-vjeçarin Andrea De Marco.

Ai ka pranuar krimin e vrasjes me thikë të gjyqtarit të futbollit Daniele De Santis dhe të fejuarës së tij, Eleonora Manta.

Luixhi Hasanaj është fqinji i çiftit të vrarë dhe ka deklaruar para hetuesve se ka dëgjuar ulërimat e viktimës e më pas ka parë vrasësin të dalë nga banesa.

‘Dëgjova ulërima, ulërima të pabesueshme, tamam dhunë e padëgjuar’, deklaroi Hasanaj, i cili ishte edhe njëri prej telefonuesve në numrin e policisë. Ai po shëtiste qenin kur dëgjoi të thirrurat për ndihmë të gruas.

‘Ulërimat ishin të një gruaje dhe kërkonte me dëshpërim ndihmë’, thotë shqiptari, i cili ka përshkruar edhe vrasësin. ‘Ishte i gjatë, rreth 1.80, trup normal, i bardhë, kishte veshur një bluzë të errët me kapuç, blue jeans e një çantë shpine. Në dorë mbante një thikë të madhe’.

Dëshmia e Hasanajt ka ndihmuar në identifikimin e De Marcos si autor i krimit që tronditi Italinë dhe në arrestimin e tij.