Luftë Frontale/ Deri tani 84 viktima nga ofensivat ushtarake në Nagorno Karabakh

Është thelluar bilanci i viktimave në konfliktin e armatosur që ka shpërthyer mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, në krahinën separatiste të Nagorno Karabakh. Me 26 viktimat e shënuara vetëm të hënën, bilanci total i humbjes së jetëve shkon në 84 mes personelit ushtarak. Përveç ushtarakëve, në përballjen e armatosur mbetën të vrarë edhe 11 civilë.

“Kjo është luftë për jetë a vdekje”, deklaroi lideri armen i Nagorno Karabakh,  Arayik Harutyunyan.

Sipas analistëve, Baku po zhvillon një ofensivë masive në çdo pjesë të frontit në zonën e diskutuar nga Armenia dhe Azerbajxhani qysh prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

Që prej së dielës, forcat e Nagorno Karabakh, të mbështetura ushtarakisht dhe politikisht nga Armenia, po përballen me ushtrinë azere në atë që cilësohet si lufta më e përgjakshme pas vitit 2016.

Rusia i ka bërë apel palëve të fillojnë diskutimet për paqe, ndërkohë që Turqia mbështet aksionin e Bakusë, duke shtuar me anë të presidentit Ergodan “se çështja e Nagorno Karaback duhet të zgjidhet përfundimisht”.