Nxori sekretin hetimor/ Drejtuesi i OFL mori 'medalje nderi' nga Lleshaj

Drejtori i Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e shtetit, Artan Shkëmbi, i cili njëkohësisht drejton edhe operacionin “Forca e Ligjit”, është pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme.

Burimet thanë dje se, ditën e shtunë, GJKKO ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pezulluar nga detyra drejtuesin e lartë të Policisë deri në përfundim të hetimeve.

Mësohet se SPAK po kryen hetime për “Shpërdorim detyre” për shkak të nxjerrjes së një sekreti hetimor nga ana e Artan Shkëmbit.

Nga ana tjetër, Artan Shkëmbi, i cili kaloi me sukses tri kriteret e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë më 28 shkurt nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, rezulton i pajisur me certifikatë sigurie CSP, “Tepër Sekret”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka komanduar në vend të tij oficerin e lartë të Policisë, Hekuran Bregu, i cili ishte një ndër 19 oficerët që morën “Medalje Nderi” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në janar të këtij viti, për kontributin e dhënë në ditët pas tërmetit.