Aksident tragjik në Itali/ Humb jetën 10-vjeçari shqiptar, rëndë babai

Një aksident tragjik ka ndodhur në Petritoli, në Fermano, Itali.

Një djalë shqiptar vetëm 10 vjeç ka humbur jetën tragjikisht në aksidentin automobilistik, ndërsa ishte në makinë me babanë e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Fermos, Itali.

Tragjedia ndodhi pak para mesnatës së djeshme, përgjatë rrugës që lidh Valmirin me Petritolin, pak para se të hynin në qendrën historike të qytetit. 

Burri, një 40-vjeçar shqiptar, me banim në Itali për shumë vite, po ngiste një makinë ‘Fiat Panda’ dhe po udhëtonte në rrugën që ngjitet nga Valmiri drejt qendrës historike, në shoqërinë e fëmijës së tij, lindur në Itali dhe banues në Valmiri së bashku me familjen e tij.

Për shkak ende të panjohura, shoferi humbi kontrollin e makinës e cila përfundoi duke u përplasur në një mur dhe më pas u përmbys.

Nga përplasja e dhunshme, fëmija doli nga makina duke ndërruar jetë, ndërsa babai ishte i bllokuar mes ‘airbag’-ve të makinës.

Zjarrfikësit e Fermo dhe personeli mjekësor kanë shkuar në vendngjarje pas njoftimit për aksidentin.

Çdo përpjekje për të shpëtuar jetën e fëmijës ishte e kotë, ndërsa babai, pasi u nxor nga zjarrfikësit dhe pas mjekimit të parë që iu dha në vend, u transportua në kushte shumë të rënda në spital.

Gjithashtu në vendngjarje shkuan edhe karabinierët e Petritoli, ku trupi i vogël i fëmijës u transportua në morgun e Fermos.