Pushkatimi i '5 Qershorit'/ Si e shkeli Edi Rama besimin e Merkel dhe të Sekretarit të Shtetit

“5 Qershori duhet të kalojë siç është. Nuk mund të hapet përsëri. Nuk mund ta bësh sepse do të ishte shkelje e besimit të vënë”.

Këto fjalë i ka thënë menjëherë pas firmave, vetë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim, e cila së bashku me ambasadorin e Britanisë së Madhe dhe atë të BE-së, ishin edhe kumbarët e marrëveshjes së arritur mes opozitës reale dhe mazhorancës në Këshillin Politik.

Kjo marrëveshje që u quajt historike për politikën shqiptare, madje u përshëndet edhe nga vetë Sekretari i Shtetiti Pompeo dhe zyra e Kancelares Merkel.

Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe pasi i bëri mirë hesapet, sipas të cilave një fitore për mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme ishte gati e pamundur pa një skemë që e favorizonte PS-në, Edi Rama, fillimisht `e drodhi` dhe më pas e pushkatoi marrëveshjen e 5 qershorit.

Ai nëpërmjet trukeve në parlamentin që ka nën kontroll dhe duke përdorur të ashtuquajturën `opozitë të re`, eci përpara në planin e tij duke  shkelur hapur besimin e ndërkombëtarëve duke nisur ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës në mes të lojës.

Kështu Rama vendosi të shkojë drejt hapjes formale të listave të cilat në fakt po `i kyç`, dhe zhbërjes së koalicioneve. Dhe po ky Edi Ramë, me `pushkë në dorë` dhe marrëveshjen e 5 qershorit të mbështetur në murin e pushkatimit vazhdonte të thoshte, se nuk do ti prekej asnjë presje kësaj marrëveshje.

Ndërkombëtarët, Gjermania, Bashkimi Europian dhe së fundmi edhe ambasadorja Kim, nuk kanë hezituar që ta shënjestrojnë Edi Ramën, si ekzekutor i marrëveshjes së 5 qershorit, e madje kanë kërcënuar edhe me mos nisjen e konferencës ndërqeveritare për negociatat e vendit tonë në BE.

Por pa pyetur për firmën dhe të gjitha këto kundërshtime, Rama, i rreshtoi deputetët e vetë dhe në mënyrë të njëanshme në 30 korrik, realizoi ndryshimet e kushtetutës. 
Edhe pse në Gjermani e gjatë vizitës së fundit e injoruan duke i dërguar mesazh se shkelja e marrëveshjes së `5 qershorit` dhe ligji anti-media janë viza e kuqe për të, ai duket i vendosur që javën e ardhshme të kalojë në pa konsensus Kodin e ri Zgjedhor që do vetë në parlament.

Marrëveshja gjendet e mbështetur në murin e pushkatimit, kurse Rama që kërkon me çdo kusht një mandat të tretë, me gishtin në këmbëzën e armës.