Shkarkohet nga detyra ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela. 

Vendimi u komunikua nga kryesuesja e seancës Natasha Mulaj. Vetë Prela nuk ishte e pranishme në seancë.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrës u konfirmua në detyrë në shkurt 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht problematikave të shumta dhe akuzave ndaj saj që nxori në pah seanca dëgjimore.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të rinisë hetimin gjyqësor për Prelën, pasi komisioneri publik ngriti pretendime që ajo ka pasuri të pajustifikuara.

Gjatë shtrimit të kërkesës së tij për rrëzimin e vendimit të shkallës së parë, komisioneri tha se Prela kishte mungesë burimesh financiare në blerjen e një apartamenti në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i saj kishte shmangur taksat teksa paguhej me dy bordero në një kompani.

Problematike u konsideruan edhe dy transaksione me 25 mijë euro dhe 1.7 milionë lekë nga bashkëshorti i Prelës, shifra të pathëna në deklaratat e pasurisë.