Irena Beqiraj: Historia e uljes së taksave duhet të marrë fund

Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj ishte e ftuara e mbrëmjes e Juli Krisafit në SYRI TV.

Ajo komentoi propozimin e kreut të qeverisë, Edi Rama për uljen e taksave për biznesin e vogël.

“Përjashtimi nga taksat është mjekim taliativ, që nuk të kuron, por qetëson sëmundjet.

Unë mendoj se zvogëlimi i taksës së biznesit të vogël është një tjetër vrimë që i hapet sistemit tonë tatimor.

Ajo krijon dy probleme, prish neutralitetin në sistemin fiskal. Pasi sistemi fiskal duhet të jetë i drejtë.

Problemi tjetër është kurthi i taksës së ulët te biznesi i vogël. Te ne bizneset tentojnë të qëndrojnë të vogla,” tha ajo, duke nënvizuar se produktiviteti nuk rritet me ulje taksash.

Ajo kritikoi edhe propozimin e opozitës për taksën e sheshtë.

“Taksa e sheshtë pasuron oligarkët. PD po bën një diskurs pa shifra,” tha Beqiraj.

“Historia e uljes së taksave duhet të marrë fund. Ne kemi nevojë për arsim. Ne kemi nevojë për kërkim-zhvillim. Ajo që pres nga zoti Basha, dhe besoj se edhe publiku e pret, është se çfarë do bëjnë për arsimin, çfarë do bëjnë për shëndetësinë,” tha Beqiraj.