Roma apelon humbjen në tavolinë 0-3 me Veronën, reagon presidenti i Federatës Italiane

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Grabiele Gravina, u shpreh se verdikti i Gjykatës Sportive për penalizimin e Romës me humbje 0-3 ndaj Veronës është “i qartë”.

Kreu i futbollit italian la të kuptohej se Roma ka shumë pak shanse të fitojë apelimin për vendimin ndëshkues të Gjykatës Sportive në lidhje me anulimin e humbjes në tavolinë për ndeshjen e parë të sezonit në Serinë A.

“Rregulli është shumë i qartë, por ne ua lëmë çështjen gjyqtarëve në dorë, të cilët janë të kujdesshëm dhe të përgatitur për të dhënë një gjykim më të saktë”, u shpreh presidenti i Federatës Italiane të Futbollit.

Roma u dënua me humbje 0-3 ndaj Veronës për shkak se kishte regjistruar në shkelje me procedurat e regjistrimit të Federatës lojtarin Amadu Diavara me moshën 22 vjeç, kur në fakt ai kishte mbushur 23 vjeç më 17 korrik.

Klubi verdhekuq akuzohet se ka regjistruar në shkelje flagrante lojtarin e tij për ndeshjen me Veronën në mënyrë që të krijonin hapësirë për një tjetër lojtar në listën A.