Gruaja e ikonës së futbollit Selman Stërmasi feston 100-vjetorin e lindjes

E njohur ndryshe si “Nona Tirona”, Nezihat Stërmasi, bashkëshortja e legjendës bardheblu, Selman Stërmasit feston sot 100-vjetorin e lindjes.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në Facebook të nipit të saj, fotoreporterit Armand Babani, i cili ushtron profesionin e tij për agjenci të huaja.

“Nezihat STERMASI (Petrela) plot 100 Vjec sot, Gjyshja ime, qe i uroj shendet e miresi, atë qe e ka me shumicë!”- shkruan ai.

Nezihati, e bija e tregtarit të njohur, Rustem Petrela lindi më 22 shtator 1920, pikërisht disa javë pas krijimit të Sport Klub Tiranës dhe disa muaj pas shpalljes së Tiranës kryeqytet i përkohëshëm.

Ajo ishte vetëm 14 vjeçe kur e njohu Selman Stërmasin nga hyrje-daljet familjare të dy shtëpive, të cilat kishin miqësi të vjetër bashkë.

Në vitin 1936 u shpall fejesa mes tyre, në një kohë kur ai ishte në kulmin e tij.

Kampion absolut i Shqipërisë me Tiranën në futboll, por edhe në atletikë.

Pas një fejese të gjatë 3-vjeçare, ashtu siç e kërkonte tradita u martuan më 1939-ën.

Selman Stërmasi

Selman Stërmasi është një nga ikonat e futbollit shqiptar, kryesisht e klubit të Tiranës.

Ai lindi më 9 maj 1908 në një familje tradicionale dhe patriotike shqiptare dhe i rrethuar me ndjenjat patriotike dhe dashurinë për sportin.