Bisedimet për paqen vazhdojnë në Katar ndërsa në Afganistan intensifikohen luftimet me Talebanët

Luftimet midis forcave afgane dhe Talibanëve lanë dhjetëra të vdekur në një provincë lindore ndërsa negociatorët nga të dy palët vazhduan bisedimet e paqes në Katar.

Përleshjet brenda natës shpërthyen në tre rrethe të provincës Nangarhar kur luftëtarët talebanë sulmuan disa pika kontrolli të forcave afgane dhe luftëtarëve pro-qeveritarë, i tha të enjten agjensisë së lajmeve AFP Ataullah Khogyani, zëdhënësi i guvernatorit Nangarhar.

Nga luftimet kanë mbetur të vrarë 11 ushtarë të forcave Afgane në Hesarak, nga forcat pro-qeveritare vdiqën 8 ushtarë në rajonin Khogyani, ndërsa nga talebanët kanë humbur jetën 30 ushtarë, njofton qeveria Afgane.

"Nuk ka pasur sulme nga ana jonë ... Armiqtë vazhdojnë të sulmojnë dhe derdhin gjakun e Afganëve," tha Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Afganistanit Asadullah Khalid.

Luftimet e fundit vijnë ndërsa qeveria Afgane dhe Talibanët janë të angazhuar në bisedime në Doha që synojnë t'i japin fund konfliktit të gjatë.

Negociatat janë rezultat i një marrëveshje midis Talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të nënshkruar në shkurt, e cila gjithashtu hapi rrugën për tërheqjen e të gjitha forcave të huaja deri në maj 2021.

Përfaqësuesi Special i SHBA për Afganistanin Zalmay Khalilzad tha se megjithëse bisedimet rritin shpresat e përfundimit të luftës në vend, shumë sfida mbeten.

"Kjo është një fazë e re në diplomacinë për paqen në Afganistan," tha Khalilzad javën e kaluar