Mediu: Opozita e bashkuar, fitore të padiskutuar në zgjedhje, me gjithë lëvizjet antipolitike të Ramës
Partia Republikane ka ndezur motorët për zgjedhjet e 25 prillit. Kryetari Fatmir Mediu ka thirrur kryesinë e PR në një takim organizativ, ku është ngritur Shtabi Qendror Elektoral për fushatën e ardhshme.
Përcaktimi i koordinatorëve dhe takimet në bazë për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet, janë fokusi i punës së këtij shtabi, i cili ka nisur nga puna menjëherë.
Gjatë diskutimeve me anëtarët e kryesisë Mediu, bëri edhe një panoramë të situatës politike në vend.
Ekonomia e rrënuar nga korrupsioni, por edhe përpjekjet e kryeministrit Rama për minuar procesin zgjedhor, me lëvizje krejtësisht antikushtetuese, ishin ndër shqetësimet e diskutuara gjatë këtij takimi.
Mediu theksoi se Shqipëria është zhytur në krizën më të rëndë ekonomike, kushtetuese dhe institucionale. “Qeveria jo vetëm është ilegjitime, por është tashmë pasqyrë e qartë e një regjimi korruptiv, ku shqiptarët dhe kombi trajtohen si të pavlera përballë Edi Ramës dhe njerëzve rreth tij. Opozita e bashkuar, me shqiptarët e djathtë dhe të majtë, me dhe paparti, janë të vendosur për t’u përballur me këtë regjim, për të triumfuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, me një fitore të padiskutuar në zgjedhje, me gjithë lëvizjet antipolitike dhe antikushtetuese të Ramës” deklaroi ai.
Në pëfundim të këtiij takimi u përpilua dhe u miratua lista me koordinatorët që do të mbikqyrin procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në të gjithë vendin.