VIDEO/ ‘Poker’ spanjoll, Granada eliminon lehtësisht Teutën nga Europa League

Teuta nuk mundi të bëjë një tjetër surprizë në Europa League, pasi u mposht me rezultatin e thellë 0-4 nga spanjollët e Granadës dhe i dha fund aventurës në Kupat e Europës në turin e dytë eliminator.

Ndonëse në letër ishte e qartë që Granada vinte nga “një tjetër planet futbolli”, durrsakët ua bënë edhe më të lehtë pasditen e sotme në “Niko Dovana”, pasi gabuan në disa momente dhe u dhanë mundësi miqve të shënonin me lehtësi.

Goli i parë erdhi që në minutën e pestë, kur pas një shpërthimi në krahun e majtë, Kennedy krosoi në zonë dhe gjeti të lirë sulmuesin Soldado, i cili i pa shqetësuar nga mbrojtja e Teutës, gjuajti saktë me të majtën dhe dërgoi topin në rrjetë.

Vetëm 5 minuta më vonë erdhi një tjetër gabim i durrsakëve në mbrojtje, këtë herë me Fabian Beqajn që dorëzoi topin te kundërshtari dhe Soldado i ktheu reston brazilianit Kennedy, i cili shënoi golin e dytë për spanjollët.

Në minutën e 31-të, nga një goditje dënimi pa shumë pretendime, Kennedy uli bukur topin në zonë për Herrerën dhe ky i fundit shënoi edhe golin e tretë, duke vënë në kasafortë suksesin e spanjollëve.

Trajneri Edi Martini provoi të ndryshojë në pjesën e dytë dhe la në dhomat e zhveshjes Asion Dajën, duke hedhur në fushë Ildi Grudën, por që në aksionin e parë, spanjollët shënuan edhe golin e katërt, sërish me autor Herrerën.

Martini provoi edhe kartën Hebaj për sulmin, duke përforcuar repartin e avancuar, ndërsa Teuta dha shenja zgjimi, por pa arritur të krijojnë raste të pastra shënimi, ndërsa në 10 minutat e fundit luajtën edhe me një lojtar më pak, pasi Fabian Beqja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Merr fund kështu edhe ëndrra europiane e Teutës, që i jep fund aventurës në në turin e dytë eliminator të Europa Leagues, ndonëse duhet theksuar se përballë kishte një kundërshtar të një niveli mjaft të lartë.