Klubi në Itali e konfirmon me koronavirus, a është futbollist i Kombëtares shqiptare?

Spezia ka njoftuar se një prej blerjeve të fundit ka rezultuar pozitiv me Covid-19.

Klubi i sapongjitur në Serinë A lëshoi një deklaratë për mediat ku njoftoi se një nga afrimet e reja në ekip është infektuar me koronavirus, por a është futbollisti i Kombëtares shqiptare Ardian Ismajli?

Vlen të theksojmë që pak ditë më parë me Spezian ka nënshkruar mbrojtësi shqiptar, Ardian Ismajli, i cili u përfol si i infektuar, zëra që u hodhën poshtë prej FSHF-së.

“Gjatë ekzaminimeve rutinë të blerjeve të reja, një test ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Personi ende nuk është përfshirë me grupin dhe është asimptomatik. Lojtari është vendosur menjëherë në izolim dhe po monitorohet sipas protokollit”, thuhet në reagimin zyrtar të klubit.

Ardian Ismajli, Hysen Memolla dhe Ylber Ramadani nuk janë grumbulluar për takimin e Shqipërisë me Lituaninë, por pas kthimit në Danimarkë, futbollisti tjetër Ramadani rezultoi se kishte marrë koronavirusin. Klubi i tij, Vejle pretendoi se mesfushori ishte infektuar gjatë grumbullimit me Shqipërinë.