Tensione në protestën e naftëtarëve, humb ndjenjat një protestues

Një protestues ka humbur ndjenjat para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Ai i është bashkuar naftëtarëve të Ballshit që protestojnë për shlyerjen e pagave, të cilat kanë më shumë se 20 muaj që nuk i kanë marrë.

Në video duket se të riut i ka rënë të fikët ndërsa protestuesit kanë nxituar ti japin ndihmën e parë. Ndërkohë policia kërkon të shpërndajë turmën pasi nuk lejohen grumbullimet për shkak të Covidit.

Nga ana tjetër, protestuesit tentojnë të hyjnë në Ministri dhe kërkojnë me ngulm një zgjidhje për këtë situatë.

Forcat policore kanë bërë edhe disa shoqërime, mes të cilëve janë edhe aktivistët Arlind Qori dhe Arben Kola.

Kujtojmë se prej disa kohësh, naftëtarët kanë mbajtur protesta pranë rafinerisë për plotësimin e kushteve të tyre, ku përfshihet shlyerja e pagës dhe nisja e punës. 

Dy ditë më parë, Edi Rama ishte shoqëruar nga ministrja Belinda Balluku për udhëtimin e tij në Turqi, ku takuan Presidentin e Azerbajxhanit dhe nuk mbeti jashtë bisedës çështja e naftëtarëve të Ballshit.