Rama në ikje veçse spekullon e teatron komedi në Athinë!

Nga Tritan Shehu/

Prishësi i qëllimshëm i marrëdhënieve me Greqinë vetëm dje e paska kuptuar që marrëdhëniet njerëzore midis grekëve e shqiptarëve janë të mira!

Në fakt kjo me kujtoi atë librin e dikurshëm e të vonuar të atij tjetrit, “Dy popuj miq”!

Po kështu si shumë vonë e kuptoi atë çfarë deklaroi aty se “integrimi europian është e vetmja alternativë për ne”- mbasi që prej 2014 veçse e ka penguar këtë proces duke tentuar të na degdisë diku ne Lindje!

Dje Rama foli dhe për nevojën e marrëveshjes me Greqinë për kufirin detar e mundësinë e kalimit të saj në Gjykatën Ndërkombëtare!

E çuditeshme të dëgjosh të tilla fjalë nga shkatërruesi i asaj të vitit 2009, kur ajo ishte krejt racionale.

Veçanërisht e çuditeshme të dëgjosh nga ai që nuk pranoi as idenë e konsoliduar të asaj periudhe të Gjykatës Ndërkombëtare, të cilën tashti e “shpalos” në Athinë, siç duket duhet të jetë në hall të madh, që e detyron të kalojë nga “i forti te kapitullanti”.

Në fakt spekullim ishte gjithëçka, se një qeveri tashmë në ikje si e tij, mbasi për tetë vite vetëm deshtoi e dëmtoi marëdhëniet rajonale, me fqinjët, procesin tone të integrimit etj, edhe marrëveshjet e rëndësishme siç është dhe ajo e kufijëve detarë, në muajt e fundit nuk mund të bëj asgjë të dobishme, veçse propagandë, duke i bërë të buzeqeshin interlokutorët.

Por dhe diçka në fund që Rama tashti duhet ta kuptojë:

--Askush nuk i beson më atij, edhe kur me pompozitet tenton të marrë mbi vete rolet e “mediatorit e garantit të madh” në zgjidhjen e konflikteve të gjera e të rrezikeshme, “rol” që edhe Trump, Merkel a Macron do t’ja kishin zili nëqoftëse do ta merrnin seriozisht.

Në rastin më të mirë këto deklarata konsiderohen në atë sallë vetëm si shakara, me të cilat vështirë se dhe mund të qeshë kush!