Reshat Arbana: ‘Për burrin qenka mjerim i madh kur mendon ku do shkojë pas viteve që do kalojë….’

Reshat Arbana, artisti që ka skalit në më shumë se 35 karaktere, si protagonist në kinematografinë shqiptare feston sot datëlindjen e 80-të. I vlerësuar nga publiku artdashës më shumë sesa nga institucionet e kulturës për kontributin, që ka dhënë në artin teatror edhe të kinematografisë, Reshat Arbana u lind në (15 shtator 1940) në Tiranë. Angazhimi i tij në kinema dhe teatër nis në fillim vitet ’60, pasi kreu studimet e larta në degën e Aktrimit tek “Aleksandër Moisu” në Durrës.

“Asnjëherë nuk i kam festuar përvjetorët apo jubiletë, sepse nuk i dua. Më krijojnë emocione shumë të mëdha, por sonte po më duket krejt ndryshe. Për burrin qenka trimëri e madhe të bëhet 78 vjet, e të eci nga 80-ta, por na qenka edhe një mjerim i madh, kur mendon se ku do iki pas këtyre viteve që po kalojmë. Po ishallah në atë dynja, do shkojmë te ai vendi i mirë, jo te ai i keqi atje. Faleminderit shumë, ju jam shumë mirënjohës”, do të shprehej artisti i njohur para dy vitesh në datëlindjen e 78, mes miqsh edhe kolegësh të një jete.