Planes konfirmon largimin e Vidal: Shitja e Arturos është në fazë të avancuar, e falenderoj për...

Arturo Vidal është drejt largimit nga Barcelona. Mesfushori kilen përflitet prej disa kohësh që do t’i bashkohet Interit në Serie-A, teksa ditën e sotme sipas medieve spanjolle 33 vjeçari  është takuar me shokët e ekipit dhe ka lënë dhomat e zhveshjes së katalanasve për herë të fundit.

Vidal largohet pas dy vitesh nga Barcelona, ku nuk arriti të jetë një titullar absolut, por tregoi vullnetin të ndihmojë skuadrën në çdo moment të vështirë. Megjithëse nuk është zyrtarizuar, kalimin e tij te Interi e konfirmon drejtori i ri sportiv i Barcelonës, Ramon Planes.

Ai tregon se është në negociata për ta shitur, çka lë të kuptohet se zikaltërit mund të kenë paguar një shumë modeste për shërbimet e mesfushorit 33-vjeçar, i cili më parë ka luajtur edhe me Juventusin e Kontes. “Mund të konfirmoj se shitja e Arturo Vidal është në fazë të avancuar. Përfitoj nga rasti ta falenderoj për atë që ka dhënë për Barçën në këto dy vite”, u shpreh Planes.