Policët betohen se do ta gjejnë personin që qëlloi mbi dy oficerë

Policia e Los Angeles është betuar ta kërkojë deri sa ta gjejë personin që shtiu mbi dy zëvendës sherifë të Kontesë së Los Angeles teksa ishin duke qëndruar në makinën e patrullimit.

Gruaja 31-vjeçare u qëllua në nofull, ndërsa kolegu 24-vjeçar u plagos në kokë e shpatull teksa u sulmuan të shtunën në mbrëmje pranë një stacioni të metrosë në Compton, Kaliforni.

Fox11 raporton se efektivët e policisë janë betuar që nuk do të reshtin së kërkuar për autorin, teksa edhe FBI është bashkuar në ndjekje dhe shpërblimi që çon në arrestimin e fajtorit ka shkuar në 200 mijë dollarë.

Ronald Hernandez, president i Shoqatës së Zv/Sherifëve të LA, i vizitoi në spital kolegët e plagosur dje. Ai tha se shpresonte që ky sulm i paprovokuar kundër ‘dy mbrojtësve të komunitetit’ ishte një thirrje për të hapur sytë e ndërkohë pati një mesazh edhe për autorin.

‘Më vjen keq ta them, por do të vazhdojmë të të kërkojmë deri sa të të gjejmë. Besoj edhe ti vetë tani po mendon se e kalove kufirin. Këshilla ime më e mirë për të është që të dorëzohesh vetë, sepse jo vetëm ne shqetësohemi për ty, por shoqëria në përgjithësi shqetësohet për ty’.

Hernandez iu drejtua edhe protestuesve jashtë spitalit që thuhet se kanë thirrur në kor ‘shpresojmë të vdisni’.

‘Ju sfidoj të më tregoni ndonjë video... ku shihet ndonjë prej nesh t’i qëndrojë sipër dikujt ndaj të cilit kemi qenë të detyruar të përdorim forcë vdekjeprurëse e t’i thërrasim në kor ‘shpresojmë të vdesësh’.

Autoritet publikuan video që tregon autorin teksa shkon te makina e patrullës dhe qëllon përmes dritares së hapur. Departamenti i sherifit e përshkroi të kërkuarin si mashkull, i zi, i moshës midis 28-30 vjeç. Deri tani nuk ka emra të dyshuarish në lidhje me incidentin.