Plagosen në pritë dy policë

Në Kaliforni, autoritetet janë në kërkim të një personi të armatosur që plagosi me armë zjarri dy oficerë policie të Qarkut Los Angeles të cilët ndodheshin në makinën e shërbimit.

Ngjarja, që dukej si një pritë, shkaktoi një reagim të zemëruar të presidentit Donald Trump.

Ajo u bë shkak gjithashtu për një protestë anti-policore jashtë spitalit ku po mjekoheshin oficerët.

‘Për protestuesit që bllokojnë hyrjen dhe daljen e dhomës së urgjencës të spitalit duke thirrur ‘Shpresojmë që ata të vdesin’, duke iu referuar 2 sherifëve të zënë në pritë sot në #Compton: Mos bllokoni hyrjet dhe daljet e urgjencës në spital,’ shkroi në Twitter shefi i departamentit të policisë. ‘Jeta e njerëzve është në rrezik kur ambulancat nuk kalojnë dot.’

Policët, një 31-vjeçare dhe një 24-vjeçar iu nënshtruan një operacioni të shtunën mbrëma, tha Sherifi Alex Villanueva në një konferencë për shtyp. Të dy janë diplomuan në akademinë e policisë 14 muaj më parë, tha ai.

Oficerët u qëlluan ndërsa ishin ulur në makinën e tyre patrulluese në një stacion metroje dhe kërkuan ndihmë me radio, tha sherifi.

Sherifi, departamenti i të cilit është kritikuar gjatë trazirave të fundit racore, shprehu zhgënjim ndaj protestës anti-policore dhe u bëri thirrje njerëzve të luteshin për policët e plagosur.

‘Kjo më acaron. Më shqetëson në të njëjtën kohë,’ tha ai.

Departamenti publikoi në Twitter videon e të shtënave, ku duket një person që hap zjarr ndaj makinës së policisë.

‘Njeriu i armatosur hapi zjarr pa paralajmërim ose provokim,’ tha departamenti.

Videoja shkaktoi mijëra reagime, përfshirë atë të presidentit Trump, i cili shkruante: ‘Kafshët që duhen goditur fort!’

Protestuesit u mblodhën jashtë spitalit ku po mjekoheshin policët e plagosur.

Ndërkohë, kërkimi i personit të armatosur vazhdon.