Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese infektohet me COVID-19

Arta Rama-Hajrizi, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë është infektuar me koronavirus.

Sipas zëdhënësit të Gjykatës Kushtetuese, Veton Dula, kryetarja Rama–Hajrizi ditë më parë ka rezultuar pozitive në testin për koronavirus dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë.

Pas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësorë ajo është duke qëndruar në izolim që një javë.

“Ju konfirmojmë se, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama – Hajrizi, ditë më parë ka rezultuar pozitiv në testin e bërë për virusin Sars-CoV-2”, ka thënë Dula për mediat në Kosovë.

“Sipas rekomandimeve të ekspertëve shëndetësor, znj. Rama – Hajrizi po qëndron në izolim që një javë dhe gjendja e saj shëndetësore është stabile”, thuhet në përgjigjen e tij më tej.

Gjykata Kushtetuese është duke vazhduar punën me mbajtjen e seancave shqyrtuese në mënyrë virtuale.