Trump arrin tjetër marrëveshje: Edhe një vend arab bën paqe me Izraelin

Izraeli dhe Bahreini kanë arritur një marrëveshje historike për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet. Kështu bëri të ditur presidenti amerikan, Donald Trump.

“Vendi i dytë arab që bën paqe me Izraelin brenda 30 ditësh,” shkruan Trump.

Për dekada me radhë, shumica e shteteve arabe kanë bojkotuar Izraelin, duke insistuar se do vendosin marrëdhënie pasi të zgjidhet çështja e Palestinës.

Por muajin e shkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe pranuan që të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

“Një tjetër arritje historike. Dy miqtë tanë të mëdhenj, Izraeli dhe Mbretëria e Bahrenit kanë rënë dakord për një Marrëveshje Paqeje,” shkruan Trump.

Deri tani katër shtete arabe kanë njohur Izraelin që prej themelimit në vitin 1948. Ato janë Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.