‘Jemi krah Greqisë’/ Turqia dënon deklaratën e samitit të Korsikës të thirrur nga presidenti Macron

Ndërkohë që Greqia përpiqet të gjejë gjithnjë e më shumë aleatë duke patur në krah presidentin e Francës, “Protothema” shkruan sot se së fundmi marina turke ka njoftuar një stërvitje të gjerë ushtarake në brigjet e Qipros.

Turqia duket se është bezdisur më shumë nga mbështetja e ofruar për Greqinë dhe Qipron nga pjesëmarrësit në samitin Korsikan, i thirrur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy i kërkoi Greqisë të tërheqë anijet e saj luftarake rreth anijes turke “Oruc Reis”.

Ai po ashtu foli për “militarizim” të ishujve lindorë të Egjeut dhe “presionit ndaj pakicës turke” duke kërkuar të hiqet dorë sa më parë.

Deklarata e palës turke:

Deklarata e Përbashkët për Mesdheun Lindor dhe Qipron, e miratuar në fund të Samitit të Gjashtë të Shteteve Anëtare të Evropës Jugore (Med7) në 10 Shtator 2020, me pjesëmarrjen e Francës dhe Italisë, e Spanjës, Maltës, Portugalisë, Greqisë dhe administrata Greke Qipriote, është e njëanshme, e shkëputur nga realiteti dhe i mungon baza ligjore.

Ne i bëjmë thirrje Greqisë të heqë dorë nga pretendimet e saj kundër ligjit ndërkombëtar dhe pozicionet e saj maksimaliste në çështjen e juridiksionit detar. Për të zvogëluar tensionin, është e nevojshme që Greqia të tërheqë anijet e saj luftarake rreth anijes sonë kërkimore Oruç Reis, duke mbështetur iniciativën e NATO-s, për të ndaluar militarizimin e ishujve të Egjeut Lindor, përfshirë Kastelorizo, dhe për t’i dhënë fund presionit mbi “pakicën turke” të Trakës Perëndimore.

Turqia është vendi me vijën më të madhe bregdetare në Mesdheun lindor dhe është një vend kandidat për në BE.

Në mënyrë që të ketë dialog dhe bashkëpunim në Mesdheun Lindor, Greqia duhet së pari të ulet në tryezë me Turqinë pa kushte, grekët qipriotë që punojnë me turqit qipriotë, duhet të ndajnë të ardhurat që vijnë nga shfrytëzimi i burimeve të hidrokarbureve, dhe të mos shikojnë vetëm interesat e tyre vetjake. BE dhe vendet e tjera që kanë nënshkruar deklaratën duhet të braktisin qëndrimin e tyre të njëanshëm që ndjek verbërisht pretekstin e solidaritetit, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së. Kur solidariteti është i drejtë, bëhet mirë. Nuk ka solidaritet me të padrejtët./ Balkanweb/