Qëndroi 135 ditë në spital që të shërohet nga Koronavirusi, rasti i rrallë në Britani

Një gjyshe që besohet të jetë një nga pacientet që ka qëndruar më së gjati në një spital në Britani duke u shëruar nga COVID-19, më në fund është liruar – pasi iu nevojitën plotë 135 ditë për ta fituar betejën kundër coronavirusit.

Paula McCarten është larguar nga spitali i Bradfordit gjatë të enjtes, ku me duartrokitje u përcoll nga stafi që për pesë muaj e ndihmuan të tejkalojë krizën e COVID-19, transmeton Telegrafi.

Ajo fillimisht i kishte kaluar mbi 100 ditë në gjendje pothuajse kome, ku më pas u transferua në repart tjetër – dhe për këtë besohet të jetë një nga pacientet që qëndroi më së gjati në spitalet e Britanisë.

57-vjeçarja u shoqërua nga familjarët dhe stafi i spitalit Bradford, të cilët i shpëtuan jetën dhe ishin të lumtur që edhe një paciente i mbijetoi më të keqes.

Mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të spitalit, kanë qëndruar në radhë duke e duartrokitur derisa ajo po largohej me lot në sy nga emocionet.