Ministeriali i Ligës Arabe, Katari fokusohet në krizat rajonale

Shteti i Katarit mori pjesë në sesionin e radhës të Këshillit të Ligës Arabe në nivelin ministror, i cili u zhvillua të mërkurën përmes një videokonference.

Në takim, delegacioni i Katarit u kryesua nga Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme, Sulltan bin Saad Al Muraikhi, i cili i shprehu sërish ngushëllimet qeverisë dhe popullit libanez për viktimat e shpërthimit në portin e Bejrutit, si dhe apeloi për solidaritet në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie.

Në këtë kontekst, ai vuri në dukje pjesëmarrjen e Emirit të Katarit HH Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve për Libanin, ku Katari dhuroi 50 milion USD për mbështetjen e operacioneve të ndihmës dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit libanez.

Nga ana tjetër, Ministri katarian theksoi se kauza palestineze mbetet kauza kryesore arabe, duke përsëritur qëndrimin e Katarit që u përmbahet parimeve të pandryshueshme të kësaj kauze të cilat kanë gëzuar konsensus ndërkombëtar gjatë dekadave të fundit, sikurse janë vendimet e Këshillit të Sigurimit dhe OKB-ja, apo referencat ndërkombëtare për procesin e paqes, përfshirë zgjidhjen me dy shtete, dhe Nismën Arabe ë Paqes, e miratuar në vitin 2002 dhe e ndërkombëtarizuar si kornizë për zgjidhje të qëndrueshme.

Al-Muraikhi afirmoi qëndrimin e palëkundur të Katarit pro të drejtave historike të popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit të tyre në kufijtë e 1967 me kryeqytet Jerusalemin, si dhe të drejtën e refugjatëve për t'u kthyer në zonat e tyre. ‘Çdo devijim nga këto parime është shkelje e ligjit ndërkombëtar’ – tha ai, ndërsa shtoi se vendi i tij nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të ndihmuar popullin vëlla palestinez.

Në lidhje me zhvillimet në Jemen, ai tha se situata tragjike atje kërkon qëndrime urgjente, në mënyrë që të punohet për të ndalur luftën dhe për t'i shtyrë palët në konflikt drejt pajtimit kombëtar në përputhje me rezultatet e Dialogut Kombëtar, iniciativën e Gjirit dhe Rezolutën 2216 të Këshillit të Sigurimit.

Ai deklaroi se Katari mbështet plotësisht ruajtjen e sigurisë dhe integritetit territorial të Jemenit dhe përsëriti thirrjen për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit luftarak dhe kthimin te rezultatet e dialogut gjithëpërfshirës, për të cilat kanë rënë dakord forcat politike dhe i gjithë spektri jemenas.

Lidhur me çështjen libiane, Al Muraikhi tha se parësore mbetet ruajtja e stabilitetit dhe sovranitetit të Libisë, krahas ndalimit të gjakderdhjes dhe ruajtjes së burimeve njerëzore e materiale.

 ‘Shteti i Katarit shpreson që të gjitha palët libiane t'i përgjigjen shpalljes së armëpushimit, të hiqet bllokada në fushat e naftës për të rifilluar prodhimin dhe eksportin, si dhe të përshpejtohet përfundimi i procesit politik, në përputhje me Marrëveshjen e Skhirat-it të nënshkruar në dhjetor 2015. Në këtë mënyrë shkohet drejt një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, e cila ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Libisë, si dhe përmbush aspiratat e popullit të tij për siguri e stabilitet.’ – deklaroi ai.

Rreth situatës në Siri, Ministri katarian vuri në dukje se dështimi i komunitetit ndërkombëtar në ndalimin e praktikave brutale sistematike të regjimit sirian kundër popullit të tij, përfaqëson dështimin e sistemit dhe të mekanizmave përgjegjës për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Sipas tij, tmerret e kësaj lufte janë njollë turpi dhe paraqesin një sfidë etike që vë në rrezik njerëzimin, sidomos kur bota sheh me hidhërim se si fati i miliona sirianëve u nënshtrohet llogarive dhe interesave të disa fuqive botërore.

Ai përsëriti se Katari konsideron se intensifikimi i përpjekjeve për të arritur një zgjidhje politike bazuar në Deklaratën e Gjenevës nr. 1 dhe Rezolutat Nr. 2254 të Këshillit të Sigurimit, është mënyra e vetme për t'i dhënë fund krizës siriane.

‘Në aspektin humanitar, Katari nuk do të kursejë asnjë përpjekje për mbështetjen dhe ndihmën ndaj popullit vëlla sirian’ – tha ai.

Sa i përket situatës në Sudan, Al-Muraikhi shprehu ngushëllimet e sinqerta për viktimat e përmbytjeve në rajone të shtetit afrikan dhe siguroi mbështetjen e Katarit në përballimin e situatës. Ai vuri në dukje direktivën e Emirit HH Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani për dërgimin e ndihmave urgjente për të prekurit nga përmbytjet.

Gjithashtu, ministri katarian përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Xhuba mes qeverisë tranzitore sudaneze, Frontit Revolucionar dhe fraksioneve të armatosura, sikurse shprehu vlerësimin e Katarit për Sudanin e Jugut që mbikqyr negociatat e paqes për realizimin e aspiratave të popullit sudanez.

Lidhur me situatën në Somali, Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme ripohoi qëndrimin e Katarit për respektimin e sovranitetit, pavarësisë dhe unitetit të Somalisë. Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme katariane për qeverinë dhe popullin somalez, si dhe përsëriti thirrjen për zbatimin e plotë të vendimeve të Ligës Arabe për Somalinë.

Al Muraikhi vuri në dukje gatishmërinë e Katarit për të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të përhershme në të gjitha ngjarjet dhe takimet që do të mbështesnin veprimin e përbashkët arab. Njëherësh, ai përsëriti kërkesën drejtuar Sekretariatit të Përgjithshëm të Ligës Arabe për heqjen e të gjitha pengesave për pjesëmarrjen e delegacioneve të Katarit në takimiet e niveleve të ndryshme të Ligës Arabe.