Vizitë e papritur e Ramës në Athinë, ja kë do të takojë

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Athinën, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, në datën 15 dhe 16 shtator.

Mediat e vendit fqinj që japin lajmin, i referohen një njoftmi të bërë publik prej qeverisë greke. Sipas tyre, takimi do të mbahet në Grand Resort Lagonisi të Athinës.

Kryeministri Rama do të takohet me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis, ministrin e jashtëm Nikos Dendias si dhe me eksponentë të rëndësishëm të politikës vendase dhe asaj ndërkombëtare, sipas burimeve qeveritare greke.

Ditët e fundit ka pasur një debat të madh në Shqipëri lidhur me deklaratën e kryeministrit grek Mitsotakis, i cili tha se vendi i tij do të zgjerohej me 12 milje edhe në detin Jon. Kryeministri Rama e përshëndeti këtë deklaratë, por nga ana tjetër ka këmbëngulur se nuk ka marrëveshje me Greqinë dhe se nuk bëhet fjalë për ujrat tona.

Faktikisht ishte paralajmëruar një vizitë e ministrit grek të Jashtëm Nikos Dendias në Tiranë së shpejti, por si duket Rama ka zgjedhur që të shkojë vetë në Athinë, pas shumë vitesh gati ngrirje të marrëdhënieve mes qeverive të dy vendeve.