Meta: Shqipëria dhe SHBA, të bashkuara në vlerat e lirisë dhe demokracisë

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot sulmin terrorist të 11 Shtatorit në SHBA dhe ka theksuar se Shqipëria është në krah të popullit amerikan. Në mesazhin e tij në Fb, Presidenti shkruan:

"Në krah të popullit amerikan, përkujtojmë sot viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe solidarizohemi me familjet e tyre!

Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë dhe rajonin tonë.

Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe në përpjekjen për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fondamentalizmi fetar dhe autoritarizmi."