VIDEO/ Pas 'dorëheqjes dhe largimit nga Shqipëria', rikthehet në detyrë Besa Shahini

Që nga momenti që deklaroi se nuk do të jetë më ministre e Arsimit dhe madje se do të largohet fare nga Shqipëria, Besa Shahini, ishte zhdukur `nga qarkullimi`.

Pas deklaratës së saj që ka kapur në befasi edhe vetë eksponentët e Rilindjes shumë media kanë tentuar që të kontaktojnë me Shahinin, por ajo ka qenë e paarritshme për të gjithë.

Por mëngjesin e sotëm, kur vetëm 4 ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit, Besa Shahini është rikthyer në detyrë duke publikuar një video, përmes së cilës tregon mënyrën se si do të funksionojë protokolli në rast problemesh shëndetësore.

Prindërit do të plotësojnë me përgjegjshmëri një formular vetë-deklarimi ditor, ku do të tregojnë gjendjen shëndetësore të fëmijës së tyre.

Gjithashtu në rast problemesh, ata duhet të lajmërojnë menjëherë strukturat mjekësore. Po ashtu, protokoll të njëjtë do të duhet të ndjekin edhe mësuesit, personeli dhe drejtuesit e shkollës.

“Kujdesi i shtuar gjatë kësaj periudhe nga ana e çdo prindi, vetëm shton mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve dhe siguron njëkohësisht mbarëvajtjen e një procesi të rregullt shkollor”, shkruan Shahini.