Koka: Zgjedhjet do jenë një referendum! Gabimi që ka bërë Jozefina Topalli

I ftuari i mbrëmjes në edicionin e lajmeve në SYRI TV ishte gazetari Bledian Koka.

Përballë moderatores Juli Krisafi ai komentoi fillimisht kërkesën e Edi Ramës se i duhen 74 mandate. Ai tha se po bëhet krahasimi me zgjedhjet e vitit 2017, të cilat u fituan me manipulime.

“Është një alibi për të thënë që këto mandate i kemi fituar pa manipulime dhe mund t’i fitojmë sërish. PS nuk fiton e vetme dhe nuk ka fituar e vetme. Ky është fillimi i një propagande të shfrenuar,” tha Koka.

Sipas tij, Rama i fitoi zgjedhjet në koalicion dhe tani po investohet kundër koalicioneve, pasi e di që të majtë dhe të djathtë janë bërë kundër tij.

“Ajo që nuk di Rama është se edhe koalicioni opozitar ka llogaritë e veta dhe sondazhet e veta që tregojnë se Rama as me 60 deputetë nuk del,” tha ai.

“Këto zgjedhje do jenë një referendum për largimin e kësaj qeverie,” tha Koka, duke theksuar se “debati nuk duhet të zhvillohet Rama-Basha, por për platformat ekonomike”.

Sipas tij, teksa në PD po bëhet garë për kandidatët, në PS vetëm po ekzekutohen urdhrat e kryetarit, i cili nuk votohet më.

“Një forcë politike nuk respekton demokracinë brenda saj, si mund të respektojë demokracinë në vend,” tha Koka.

Ai komentoi edhe deklaratat e fundit të Jozefina Topallit në drejtim të kreut të PD.

“Unë mendoj që të gjithë kritikët e Bashës, dhe një nga këta jam edhe unë, kanë bërë një gabim të madh, duke filluar nga Topalli e deri te i fundit; ata nuk kanë thënë asnjë fjalë të keqe kundër Edi Ramës, kundër Erion Veliajt, kundër Vangjush Dakos,” tha Koka.