Ilir Beqaj përjashton Ditmir Bushatin nga PS-ja

Që në mbledhjen e parë të zhvilluar në Shkodër, Ilir Beqaj ka bërë të ditur se Ditmir Bushati është i përjashtuar nga PS-ja.

Edhe pse nuk është zyrtarizuar ende, ky vendim pritet të merret në asamblenë e 11 shtatorit që do të zhvillojë PS-ja.

Beqaj ka zhvilluar takimin e parë prezantues me strukturat e PS-së në qarkun Shkodër si koordinator politik i emëruar nga Rama në mbledhjen e fundit të kryesisë dhe grupit parlamentar.

Edhe pse nuk ja zuri emrin në gojë ish-ministrit të Jashtëm i cili rrjedh edhe nga një familje me emër në Shkodër, Beqja, deklaroi se të paktën për një vit nuk është punuar fare me partinë. Gjithashtu ai paralajmëroi edhe drejtorët e institucioneve, për të cilët tha se pavarësisht se nuk janë `një punë e tij`, do të kalojnë të gjithë në sitë.

‘Kemi një boshllëk një vjeçar në punën e partisë dhe duhet të punojmë shumë. Sigurisht, jam i vetëdijshëm për problemet e partisë dhe drejtorëve. Drejtorët nuk janë një punë e imja, por do të shohim se si kanë punuar sepse kur vjen puna për legalizime ose funksione të tjera nuk ka të majte e të djathtë. Për drejtoritë e zhvendosura nga Shkodra në Lezhë besoj se kjo është një temë e gjatë dhe do të dojë më shumë kohë për të kuptuar konceptin e rajoneve’, deklaroi mes të tjerave ai.

Gjithashtu në fjalën e tij Beqja la për të kuptuar se ka marrë fuqinë nga kryeministri edhe për listën e kandidatëve për deputet që do të nxjerrë PS nga ky qark.

‘Për mua është privilegj që kthehem në Shkodër. Ndryshimet në qeveri janë e drejtë e kryeministrit dhe 7 muaj para zgjedhjeve nuk është e lehtë të bëhen. Kam pranuar me dëshirë propozimin e kryeministrit sepse në Shkodër e kam filluar politikën aktive. Me kryeministrin kam një marrëdhënie sy me sy për të cilën zgjat shumë pak vendimmarrja. Për kandidatët për deputetët në Shkodër, drejtuesi politik i qarkut ka për detyrë të merret me të gjithë. Në këtë faze jemi shpejt për të kaluar tek kandidaturat’, tha për këtë çështje ai.