Rrahmani: E kemi përgatitur mirë ndeshjen me Greqinë

Për Amir Rrahmanin është e lehtë të gjesh gjëra negative në një ndeshje futbolli, por paraqitja ndaj Moldavisë, sipas tij, nuk mund të hidhet e gjitha poshtë. Në konferencën për shtyp në prag të përballjes me Greqinë, mbrojtësi i Napolit theksoi se dardanët thjesht duhet të jenë më të saktë në përmbylljen e aksioneve.

“Nëse synon të gjesh situata negative gjithmonë mund të gjesh. Besoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, kemi patur kontrollin e topit. Duhet të përmirësojmë finalizimin e aksioneve. Nuk e nënvlerësuam Moldavinë, e kemi ditur që zhvillon një lojë të mbyllur.”

Mungesat: Na mungojnë shumë futbollistë, çdo mungesë është e ndjeshme. Futbollistët që do t’i zëvendësojnë shpresoj ta kryejnë si duhet punën.

Njohuritë për Greqinë: Sot kemi parë disa video të kundërshtarit dhe normalisht mendoj se e kemi përgatitur mirë ndeshjen. Siç e thashë më parë, lojtarët që do të luajnë do të japin maksimumin.