Parlamenti shqiptar nuk e mbikëqyri qeverinë gjatë pandemisë

Parlamenti i Shqipërisë bën pjesë ndër parlamentet e vetme ku nuk pati komision hetimor mbikëqyrës për situatën e epidemisë, nuk pati monitorim të impaktit të akteve normative dhe as interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë gjatë periudhës së gjendjes së COVID-19. – Ky është konkluzioni i Instituti të Studimeve Politike, i cili e monitoroi parlamentin e Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë.

Vetëm për këtë çështje, problematikat janë të shumta:

Sipas raportit, “sesioni janar – korrik 2020 u zhvillua në shumicën e periudhës nën gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të tërmetit (2019) dhe sidomos pandemisë COVID-19. Gjatë pandemisë aktiviteti i Kuvendit u bë kryesisht online, një praktikë unike parlamentare. Kuvendi meriton vlerësim për përshtatjen e shpejtë me rrethanat e reja gjatë COVID-19.

Nevoja e Kuvendit për funksionim e vendimmarrje u shoqërua me ndryshime të shpejta të Rregullores, me praktika të përshpejtuara dhe të kufizuara vendimmarrëse, si dhe me cenim të elementëve të transparencës, konsultimit publik dhe axhendës së rregullt parlamentare.

Kuvendi kaloi ndryshimet kushtetuese përmes procedurave të shpejta, pa konsensus politik dhe me shqyrtim e debat online të tyre. Një numër nismash që u përfshinë në axhendën e Kuvendit nuk kishin të bënin me gjendjen e epidemisë, por kryesisht me nisma politike dhe elektorale të iniciuara nga qeveria (nisma për përgjimet/policia, për amnistinë financiare, për legalizimin e kanabisit mjekësor, për tregjet financiare, për proceset kalimtare të pronësisë, etj).

Kuvendi krijoi përshtypjen se nuk arriti të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese në raport me kontrollin parlamentar të pushtetit ekzekutiv. Parlamenti ynë bën pjesë ndër parlamentet e vetme ku nuk pati komision hetimor / mbikëqyrës për situatën e epidemisë, nuk pati monitorim të impaktit të akteve normative dhe as interpelancë me Ministrin e Shëndetësisë gjatë periudhës së gjendjes së COVID-19.

Kuvendi nuk pati mocione besimi ose mosbesimi dhe as seancë të posaçme pyetjesh me kryeministrin. Shumica e akteve u shqyrtuan në komisione dhe u miratuan në seancë në një formë të tillë sa krijuan përshtypjen e miratimit formal, ”thuhet në raportin e ISP-së.