Richard Grenell: Ja pse Trump zgjodhi këtë strategji me Kosovën dhe Serbinë

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar special i presidentit amerikan, Donald Trump për Kosovën dhe Serbinë, reagoi pas arritjes së marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Ai publikoi një koment në portalin The Hill, duke shpjeguar se përse u zgjodh marrëveshja për normalizimin ekonomik.

“Që nga viti 2017, pozicioni i SHBA mbi konfliktin Serbi-Kosovë ka qenë që hapat drejt normalizimit ekonomik do të zbehin fuqinë dhe rëndësinë e çështjeve të nxehta politike”, shkruan ai, duke theksuar se palët kanë rëndë dakord për disa pika të rëndësishme ekonomike.

“Marrëveshja e së premtes pasqyron vizionin e mbajtur prej kohësh nga presidenti Trump për Kosovën dhe Serbinë që të përqendrohen në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin industrial si parakush për zgjidhjen e përhershme të mosmarrëveshjeve politike”.

“Ai besonte nga fillimi se besimi ndërtohet fillimisht duke krijuar mundësi për të ardhmen për të rinjtë, sesa në zgjidhjen e gabimeve të së shkuarës. SHBA do të angazhohet vitin që vjen për të implementuar këto marrëveshje,” shkruan ai.