Rënia e pabesueshme e heroit të filmit ‘Hotel Ruanda’

Ndoshta e keni parë filmin ‘Hotel Ruanda’, një nga më të vlerësuarit në historinë e Hollivudit. Në qendër të filmit, bazuar në një histori të vërtetë, është menaxheri i një hoteli luksoz në kryeqytetin Kigali.

Paul Rusesabagina arrin të shpëtojë të paktën 1200 njerëz gjatë gjenocidit të frikshëm në Ruanda, ku humbën jetën mbi 800 mijë njerëz. Shumica e viktimave ishin nga minoriteti Tutsi, megjithëse kishte edhe viktima Hutu. Vetë Rusesabagina ishte Hutu, kurse e shoqja ishte Tutsi.

Historia e tij frymëzoi filmin që ka përlotur miliona njerëz. Por 'The Guardian' raporton se Rusesabagina është arrestuar të hënën pas një fletë-arresti ndërkombëtar.

Zyrtarisht u dhanë pak detaje për arrestimin, por u tha se ai dyshohet se është 'themeluesi, lideri, sponsori dhe anëtari i një grupi terrorist të dhunshëm, që operon në rajon dhe jashtë vendit'.

Ai akuzohet se ka rrëmbyer dhe vrarë qytetarë të pafajshëm.

Rusesabagina është kritik i zëshëm i presidentit ruandez, Paul Kagame. Ky i fundit vlerësohet se i ka dhënë një hov zhvillimit ekonomik në vend që pas gjenocidit të vitit 1994. Por ai akuzohet për autoritarizëm dhe përndjekje të opozitës.

Në vitin 2017 fitoi zgjedhjet presidenciale me 99 përqind të votave.