Romeo Gurakuqi-Ramës: Hipokrit, Martin Camajn e sulmuan miqtë e tu

Historiani dhe ish-deputeti i PD-së, Romeo Gurakuqi ka akuzuar Edi Ramën se ata që kanë sulmuan dhe cilësuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin si agjentë të UDB-së, janë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Me anë të një deklarate, Gurakuqi shprehet se deklarata e sotme e Ramës në 95-vjetorin e Camajt, ishte një hipokrizi.

‘Djajtë që sulmuan Martin Camajn dhe Ernest Koliqin janë miqtë, besnikët dhe bashkëpunëtoret tuaj zoti Kryeministër Edi Rama. Janë ortakët e aferave tuaja.

Ata që ju u keni besuar poste të rëndësishme në agjencitë qeveritare, të turizmit, pronave në bregdet, informacionit të klasifikuar, udhëheqjes se Akademisë Shtetërore dhe bordeve kinse kontrolluese te tyre.

Djajtë sulmues dhe ata që e lehtësuan sulmin e tyre ndaj dy kolosëve të Shkodrës për Kombin, janë pjese e së njëjtës ‘familje’ urrejtësish të Shqipërisë së endërruar nga Camaj, Koliqi, Fishta, Frashëri, Nosi, Harapi, etj.

Ata falen në të njëjtin rreth politik, ‘shkencor’ dhe policor të djeshëm dhe të sotëm, që ju mbështet dhe shoqëron në shfaqjet tuaja propagandistike, siç ishte edhe kjo e sotmja. Janë ata që ju i mbështesni dhe i financoni për të rrëfyer dhe shkruar, njëlloj si dikur, anën e drejtë dhe të errët të historisë.

Shfaqja juaj e sotme është një hipokrizi e tejskajshme mbas 7 viteve që ju personalisht keni lejuar në mënyrë të qëllimshme, rindërtimin në publik të portreteve të atyre që e shtypën dhe vranë elitën e kombit dhe desidencen jo komuniste për 50 vite me radhe’, shkruan Gurakuqi.