Eksperti, Covid 19 ka pësuar mutacion

 Një ekspert që merret me studimin e infeksioneve ka dhënë lajmin qe Covid 19 ka pësuar mutacione, ai është bërë më infektues por është bërë më pak i rrezikshëm për jetën.

Paul Tambyah i cili është edhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Sëmundjeve Infektive ka thënë për ‘Reuters’ se provat sugjerojnë përhapjen e të ashtuquajturit mutacion D614G në disa pjesë të botës ka përkuar me një rënie të vdekjes dhe shtim të infektimeve.

"Ndoshta është një gjë e mirë të kesh një virus që është më infektiv por më pak vdekjeprurës," tha ai, duke shtuar se shumica e viruseve priren të bëhen më pak virulentë.

Mutacionet ndodhin rastësisht gjatë gjithë kohës. Shumica kanë pak efekt, dhe disa pengojnë virusin, por me kalimin e kohës mutacione të vetme ose të shumëfishta mund të ndërtohen potencialisht që e bëjnë virusin më të suksesshëm duke e bërë të mundur që ai të përhapet më lehtë. Mutacionet gjithashtu mund ta bëjnë virusin më të rrezikshëm, për shembull duke e bërë atë më efikas në infektimin e qelizave.

Mutacioni u zbulua në shkurt të 2020 dhe ai ka qarkulluar në Azi, Europë dhe Amerikën e Veriut.