Meta - Ramës: Siguroni tamponë falas për qytetarët, të mos përsëritet kriza në kufi

Një nga sugjerimet e rëndësishme që kreu i shtetit Ilir Meta i dha sot, qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ishte që të siguronin tamponin falas për COVID-19 për ata që dalin jashtë vendit, si në rastin e Greqisë.

"Mbi të gjitha qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qytetarët tanë, - tha Meta, - Një tampon prej 120-140 eurosh është i papërballueshëm nga një familje me disa pjesëtarë. 

Qeveria shqiptare duhet të subvencionojë tamponët dhe të marrë masa të menjëhershme që situata e krijuar në Kakavijë të mos përsëritet më në të ardhmen në asnjë pikë të kalimit të kufirit. Vendi ka nevojë sot, më shumë sesa kurrë për përgjegjshmëri dhe përkujdesje ndaj të gjithë shtetasve tanë. 

U kërkoj ndjesë si President i Republikës, të gjithë qytetarëve tanë, të cilët kaluan ato ditë dhe ato netë me sakrifica të jashtëzakonshme! Ju faleminderit!"