Greqia toleron/ Do të kalojnë të gjithë ata që janë në pritje

Me sa duket pala greke ka vendosur të lëshojë ‘pe’ në lidhje me afatin e përcaktuar për sot në mbrëmjen në orën 22:00 sa i përket kalimit të qytetarëve shqiptar në vendin e tyre.

Vetëm mbrëmjen e kaluar pas krijimit të kaosit të pazakontë, u arrit marrëveshja e shtyrjes së afatit me 24 orë të kalimit të qytetarëve që ndodheshin në radhët kilometrike në Kakavijë dhe Kapshticë, ndërsa sot mësohet se është bërë një tjetër tolerim nga vendi fqinj.

Aktualisht, siç raportuam pak më herët, radha e mjeteve në Kakavijë është rreth 1 km, ndërsa krahasuar me mëngjesin e sotëm apo një ditë më parë, është disa-fish më e vogël.

Tolerimi nga Greqia është bërë për shkak të intensitetit të lartë me të cilin është punuar, ndërsa afati i përcaktuar për në orën 22:00 është i pamundur që edhe pjesa e mbetur e qytetarëve të futen në shtetin helen. Kësisoj doganierët e vendit fqinj janë dakordësuar për vijimin e punës me orë të zgjatura ku qytetarë do të kalojnë edhe gjatë natës.

Kujtojmë se Greqia në bazë të masave të marra për parandalimin e pandemisë, kishte vendosur që mbrëmë në mesnatë, të mos lejonte kalimin në kufirin e saj të më shumë se 750 qytetarëve nga Kakavija dhe 300 të tjerëve nga Kapshtica në harkun kohor të 24 orëve.

Një protokoll i tillë ishte përcaktuar të vihej në zbatim para mesnatës së sotme, por është vendosur, për një afat të pacaktuar që kufiri të qëndrojë i hapur edhe për të paktën disa orë.