Kryeministri Avdullah Hoti shërohet nga Covid-19, ja kur pritet të kthehet në zyrë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka fituar luftën me koronavirusin. pas dy javësh në izolim, këshilltari i tij Xhavit Beqiri ka dhënë detaje mbi gjendjen e kryeministrit duke thënë se pritet që nesër të kthehet në zyrë.

“Gjendja e kryeministrit është e mirë. Nesër pritet me dal në zyrë, por që do të iu njoftojmë për detaje”, tha për Express.

Hoti njoftoi se ishte i infektuar me koronavirus më 2 gusht.

Ai tregoi se përveç kollës, nuk ka simptoma të tjera dhe se do të jetë në izolim për dy javë.

“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia” shkroi Hoti në postimin e tij dy javë më parë.