‘Ferrari’ që solli vërdallë Policinë nëpër Unazën e madhe ishte me targa falso

Shoferi i një Ferrari që qarkullonte rrezikshëm mbrëmjen e së shtunës në Unazën e Madhe, në aksin Liqeni i thatë – Astir në Tiranë dhe parakaloi edhe Policinë, u ndalua pas një ndjekjeje të gjatë. Policia Rrugore arriti ta ndalë dhe pas verifikimit të dokumentacionit, zbuloi se makina luksoze ishte me targa falso.

Policia Rrugore njoftoi pas mesnate se pavarësisht kontrolleve të shtuara, në rrugët e kryeqytetit përsëri ka evidentuar shumë shoferë që abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon.

Gjatë 5 orëve të fundit në segmentin rrugor Sauk-Astir dhe rrugën interurbane Tiranë-Durrës -Tiranë, janë konstatuar nga radari 18 shoferë që qarkullonin me shpejtësi nga 146 km/h- 159 km/h  në rrugën interurbane Durrës - Tiranë. Këtyre drejtuesve Policia Rrugore u pezulloi Lejen e Drejtimit.

Po gjatë oreve të fundit në unazën e madhe në segmentin Liqeni i Thatë-Astir, u evidentuar nga patrullat e Policisë Rrugore edhe 46-vjeçari që drejtonte automjetin luksoz "Ferrari" i cili kryente manovra të rrezikshme në rrugë.

Pas ndjekjes nga patrullat e Policisë Rrugore u bë e mundur kapja dhe bllokimi i automjetit. Nga verifikimi paraprak i dokumentacionit rezultoi se targat e mjetit luksoz i përkisnin një automjeti tjetër.

Gjithashtu në segmentin rrugor Teg -Astir dhe rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, u evidentuan dhe u ndëshkuan 28 drejtues mjetesh për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa masë plotësuese atë të pezullimit të lejes së drejtimit si dhe 7 drejtues mjetesh për manovra të rrezikshme në rrugë.

Kontrollet kanë vijuar edhe në rrugët e brendshme të kryeqytetit duke përdorur dragera, ku në këtë hark kohor janë pezulluar 15 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.