Ambasada e SHBA: SPAK duhet të bëjë punën pa kërcënime dhe kanosje

Ambasada amerikane në Tiranë, thotë se SPAK duhet të lejohet të bëjë punën pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

DEKLARATA

Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut.

Profesionistët e sistemit të drejtësisë - oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit - duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur.

Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar. Kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE.