‘Paqe’ mes Esat Malës dhe Partizanit, 21-vjeçari pranë rinovimit të kontratës me ‘të kuqtë’

Esat Mala pritet të rinovojë kontratën me Partizanin edhe për të paktën një vit. Mesfushori 21-vjeçar ishte në fushë për 90 minuta në ndeshjen Devolli-Partizani B (3-4) dy ditë më parë në stadiumin “Elbasan Arena”. Ashtu si Bardhi, Bitri dhe të tjerë lojtarë të Partizanit, edhe Mala ka meritën e tij për ngjitjen në Kategori të Parë të ekipit të dytë të klubit pas finales me Devollin.

Ai u bë protagonist me dy asiste për gol dhe një penallti të fituar. Aktivizimi me ekipin B nuk mund të quhet rastësi, aq më tepër që sezoni i rregullt për Superioren ka përfunduar më 29 korrik. Drejtuesit i kishin kërkuar lojtarit që të ndihmonte ekipin e dytë dhe ai menjëherë pranoi ftesën. Së fundmi mësohet se mes Malës dhe klubit, jo vetëm që janë sheshuar kontradiktat e muajve më parë për kontratën, por tashmë pritet të zyrtarizohet edhe marrëveshja për rinovimin e saj. Gjithashtu mësohet se drejtuesit kanë rënë parimisht dakord me mesfushorin për kontratën e re. (panoramasport)